
Donika Gërvalla në OKB: Kosova është ekonomi e fortë

Ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, gjatë raportimit në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku tha se Kosova është “ekonomi e fortë”., transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Gërvalla theksoi se për të pestën herë me radhë, Banka Botërore e ka renditur Kosovën ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Evropë, me parashikim rritjeje prej rreth 4% për vitet 2025 dhe 2026.
“Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkanin Perëndimor. Mbështetja ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara arrin mbi 90 për qind. Ne jemi vendi më pro-NATO dhe më pro-amerikan në botë”, deklaroi ajo.
Ajo kujtoi se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 shpëtoi popullin e Kosovës nga një gjenocid në zhvillim, ku mbi 13 mijë civilë shqiptarë u vranë nga forcat serbe nën regjimin e Millosheviqit. “Ministri i propagandës në atë kohë ishte Aleksandar Vuçiq, sot president i Serbisë. Prandaj, nuk po flasim për të kaluarën, por për të tashmen”, shtoi ministrja Gërvalla.
Në fjalën e saj, Gërvalla paralajmëroi se Serbia sot përfaqëson një kërcënim real për paqen dhe stabilitetin në rajon, përmes makinerisë propagandistike të mediave të kontrolluara nga regjimi i Vuçiqit, që përhap urrejtje dhe nxit ndasi etnike.
“Në gjithë Serbinë mund të shihen murale dhe grafite që glorifikojnë kriminelët e luftës dhe ushqejnë frymën e urrejtjes ndaj Kosovës”, tha ajo.
Tutje, Gërvalla theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, drejtësisë, dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, duke u pozicionuar si faktor i qëndrueshëm i sigurisë dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor.
(Kosova Sot Online)