I riu që humbi mes kufirit Kosovë-Shqipëri dyshohet se u pa duke hipur në autobus

  • A.P /
  • 22 October 2025 - 15:06
I riu që humbi mes kufirit Kosovë-Shqipëri dyshohet se u pa duke hipur në autobus

Shoqata e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka ndërprerë kërkimet për Florjan Tabakun, 26-vjeçar, të cilin familja e shpalli të zhdukur para tre ditësh, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kjo pasi, sipas informacioneve që ka pranuar kjo shoqatë, Tabaku është parë duke hipur në një autobus që shkon drejt zonave të Rastavicës.

Këtë e konfirmoi kryetari i ShKShMK, Deni Hameli.

“Pra, ai ka zbritur poshtë mali. Bazuar nga pamjet e kamerave kemi arritur ta konstatojmë se bëhet fjalë për të njëjtin person. Prandaj, tani kjo është punë e policisë dhe hetuesisë të merret me rastin”, theksoi Hameli.

Për kërkimin e tij pos Shoqatës për Kërkim-Shpëtim, u angazhuan edhe Bashkia Tropojë, Policia e Shtetit, vullnetarë të zonës dhe Policia e Kosovës. Ndërkaq mëngjesin e sotëm, këtij operacioni i cili u zhvillua në zonat malore mes fshatrave Mulliq dhe Kamenicë të Shqipërisë, i janë bashkuar edhe Forcat e Armatosura.

Nga ana tjetër, familja vazhdon të kërkojë të riun, i cili, edhe pse dyshohet se ka zbritur poshtë malit, nuk është kthyer në shtëpi.

Vëllai i tij i është drejtuar redaksisë së Klankosova.tv për të kërkuar ndihmë në gjetjen e tij.

“Më ka humbur vëllai, ka 3 ditë. Është më aftësi të kufizuara”, tha vëllai i Florjanit.

Kushdo që ka informacione për 26-vjeçarin i cili ka humbur në kufirin mes Shqipërsë dhe Kosovës, mund të kontaktoni në këta numra: +355 69 393 8983 ose +355 68 340 7951.

(Kosova Sot Online)