
Vuçiç: I arrestuar pranë Kuvendit është pensionist

Sulmuesi para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë është Vlladan A., i lindur në vitin 1955 në Beograd, ka deklaruar në një konferencë për media presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Ai ka kryer, sipas vlerësimit tim politik dhe si jurist, një sulm të tmerrshëm terrorist ndaj personave të tjerë dhe pronës së huaj, ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm”, ka thënë Vuçiqi, dhe më pas, pas kualifikimit të tij të veprës penale, thotë se “kualifikimin përfundimtar të veprës do ta japë prokuroria kompetente”.
“Ky person që nga viti 1993 ka në posedim një pistoletë të markës “Crvena Zastava M99”. Një armë të së njëjtës markë e ka dorëzuar në vitin 2018, kur zhvilluam aksionin për dorëzimin e armëve nga qytetarët. Ndërsa që nga viti 2018 ka të regjistruar një pistoletë të markës “Melior”, një armë e vjetër”, ka pretenduar Vuçiqi.
Ai ka shtuar se Vlladan A. ka punuar më parë për Shërbimin e Sigurimit Shtetëror.
“Ka tentuar të shtiret si i çmendur, por është një njeri me përvojë, i cili deri në vitin 1993, për 16 vjet, ka punuar në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror”, ka thënë Vuçiqi, duke sqaruar se i arrestuari është tani pensionist.
Vuçiqi ka thënë se para tendës është plagosur Millan B., baba i dy fëmijëve.
(Kosova Sot Online)