Starmer: Ballkani vendi ku vendoset siguria e kontinentit

  • A.P /
  • 23 October 2025 - 11:30
Starmer: Ballkani vendi ku vendoset siguria e kontinentit

Kryeministri Starmer e cilëson Ballkanin Perëndimor vendin ku vendoset siguria e kontinentit. Në ditën e Samitit të Procesit të Berlinit Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj bandave të trafikantëve nga Ballkani, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Britania e Madhe këtë vit është mikpritësja e Samitit të Procesit të Berlinit. Në Londër janë ftuar liderët nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Ndërsa hapi të mërkurën, (22.10.) bisedimet me udhëheqësit ballkanikë në Londër, të cilat u përqendruan kryesisht në mënyrën si të përballohet sfida e migracionit, Kryeministri britanik Keir Starmer u shpreh për Ballkanin Perëndimor si “pika kritike” e Evropës, citon agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Rajoni është përshkruar si udhëkryqi i Evropës, por është edhe vendi ku “siguria e kontinentit tonë vihet në provë”, tha Starmer.

Në bisedimet e Samitit të Ballkanit ishin gjithashtu edhe Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kancelari austriak Christian Stocker së bashku me ministrat e Jashtëm nga Franca, Greqia dhe Italia dhe e ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas nga Komisionit Evropian.

Starmer tha se bisedimet kësaj here përqendrohen tek siguria, migracioni dhe rritja ekonomike. Po ashtu liderët ballkanikë diskutojnë si të trajtojnë “ndikimin keqdashës” të Rusisë, çrrënjosjen e korrupsionit dhe çështjet e përbashkëta të migracionit, shkruan agjencia AFP.


(Kosova Sot Online)