Në kastravecët turshi të importuar nga India u zbulua paracetamol
Një rast i pazakontë është regjistruar në Slloveni, ku gjatë një kontrolle rutinë të produkteve të dimrit është zbuluar prania e paracetamolit në kastravecët turshi të importuar nga India, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ky është rasti i parë i tillë në Evropë, konfirmuan autoritetet sllovene, ndërsa analiza shtesë e kryer në një laborator privat e ka vërtetuar praninë e ilaçit për uljen e temperaturës.
Sipas rezultateve laboratorike, koncentrimi i paracetamolit ishte rreth 30 miligramë për kilogram të produktit.
Pas zbulimit të këtij rasti, 15 mijë kilogramë kastravecë turshi janë bllokuar në depo, ndërsa është njoftuar Komisioni Evropian, raportoi portali Danas.hr.
Nga Inspektorati Shtetëror i Kroacisë kanë bërë të ditur se kastravecët e dyshimtë nuk janë shpërndarë në tregun kroat, duke shtuar se deri më tani në Kroaci nuk është regjistruar asnjë rast i ngjashëm i pranisë së paracetamolit në ushqim.
Ekspertja Maja Rapajiç nga Fakulteti i Bioteknologjisë Ushqimore në Zagreb ka shpjeguar se në procesin normal të prodhimit të turshive, paracetamoli nuk është përbërës i mundshëm.
“Te perimet e marinuara, përfshirë kastravecët, përbërësit bazë janë uji, uthulla, sheqeri, kripa dhe erëzat. Gjatë procesit, kastravecët mbulohen me lëngun marinues dhe më pas pasterizohen. Në vetë prodhimin nuk përdoret paracetamol, por mund të ndodhë kontaminim i mëvonshëm, ndoshta gjatë rritjes, për shembull përmes ujit me të cilin janë ujitur bimët,” ka shpjeguar ajo.
Rapajiç nuk ka dashur të komentojë nëse paracetamoli mund të jetë përdorur qëllimisht gjatë procesit të konservimit, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndikimit të faktorëve njerëzorë.
(Kosova Sot Online)
