Bajrami: Çështja e rrymës po hetohet nga Prokuroria Speciale
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se çështja e energjisë elektrike po hetohet nga Prokuroria Speciale, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se në fillim të muajit tetor, ka dhënë dëshmi në Prokurori për atë që e quan, mafi energjetike.
“Ka një lajm të mirë: Çështja e energjisë elektrike po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Në fillim të këtij muaji kam dhënë dëshminë time në Prokurorinë Speciale, për atë që unë e quaj mafi energjetike!”, ka shkruar Bajrami.
Postimi i saj i plotë:
Qytetarët këto ditë po marrin faturat e energjisë elektrike, fatura që po varfëron buxhetin e secilës familje.
Tetori s’ka qenë aspak i ftohtë, por secili prej tyre tashmë brengoset: sa do të jetë fatura në nëntor, dhjetor e janar?
Mos harroni kurrë:
Gjatë këtij mandati, çmimi i energjisë elektrike u dyfishua për familjet dhe u trefishua për bizneset.
Bashkë me rritjen e çmimit të energjisë, u rritën edhe çmimet e çdo produkti vendor dhe kjo hapi rrugën për rritjen e çmimeve të importeve.
Kjo është dhurata e drejtpërdrejtë e politikave të Kurtit, politikë që pasuron disa dhe po varfëron secilën familje në Kosovë.
Por ka një lajm të mirë:
Çështja e energjisë elektrike po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në fillim të këtij muaji kam dhënë dëshminë time në Prokurorinë Speciale, për atë që unë e quaj mafi energjetike!
(Kosova Sot Online)
