Arrestohet hajni që thyente xhamat e veturave

  • A.P /
  • 25 October 2025 - 13:45
Arrestohet hajni që thyente xhamat e veturave

Policia e Durrësit ka arrestuar një 37-vjeçar nga Tirana, i dyshuar për disa vjedhje të ndodhura më parë në qytetin bregdetar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Pas një hetimi të gjatë, të mbështetur në informacione operative dhe analiza të pamjeve filmike nga zonat ku ishin kryer vjedhjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të 37-vjeçarit, identifikuar me inicialet V. K.

Policia bën me dije se i arrestuari qarkullonte me biçikletë në lagje të ndryshme të Durrësit, ku thyen xhamat e automjeteve të parkuara dhe vidhte sende personale, para apo pajisje elektronike. Pas kryerjes së vjedhjeve, ai përdorte automjetin e tij për të fshehur dhe transportuar sendet e vjedhura.

Hetimet kanë treguar se V. K. është autor i të paktën pesë vjedhjeve në lagjet nr. 6, 8 dhe 12 të qytetit, ku janë dëmtuar automjete në pronësi të shtetasve Xh. B., J. B., S. Q., L. K. dhe Xh. M. Nga këto vjedhje janë marrë shuma parash, laptopë dhe objekte të tjera personale.

Megjithatë, dyshohet se 37-vjeçari mund të jetë përfshirë edhe në disa raste të tjera të ngjashme, për të cilat hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale.

Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.

Operacioni “Refleksi” është pjesë e një serie masash të Policisë së Shtetit për parandalimin dhe goditjen e vjedhjeve, si dhe për rritjen e sigurisë publike në zonat urbane të vendit.


(Kosova Sot Online)