KQZ ka certifikuar listën votuese për balotazhin e 9 nëntorit

  • A.P /
  • 25 October 2025 - 15:45
KQZ ka certifikuar listën votuese për balotazhin e 9 nëntorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar Listën Votuese për balotazhin e 9 nëntorit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ky vendim erdhi në mbledhjen e sotme të KQZ-së ku u theksua se bazuar në rezultatet preliminare votimi i dytë për zgjedhjet lokale mbahet në 18 komuna.

Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti janë komunat që pretendentët për kryetarë do të përballen në balotazh.

“Sipas kësaj liste, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve në këto 18 komuna është 1,346,397 votues. Ky numër, në krahasim me raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, është më i lartë për 543 votues. Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotimet e këtyre komunave është 1,316,672 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës dhe që i takojnë këtyre komunave është 29,725 votues. Duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore Nr. 03/2024 për krijimin, kundërshtimin dhe konfirmimin e Listës Votuese, Lista Votuese brenda vendit, e raundit të dytë, është plotësuar me personat që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor 2025 arrijnë moshën e votimit, ndërkaq janë larguar personat që nga shtatori i këtij viti kanë hequr dorë nga shtetësa e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë”.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 525 Qendra të Votimit me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 1,628 vendvotime dhe 18 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 20 vendvotime.

(Kosova Sot Online)