Mali i Zi vendos vizat për këtë vend

  • A.P /
  • 27 October 2025 - 13:00
Mali i Zi vendos vizat për këtë vend

Qeveria e Malit të Zi do të heqë të hënën – me procedurë të përshpejtuar – regjimin pa viza për shtetasit turq, njoftoi kryeministri Millojko Spajiq në orët e vona të së dielës përmes një postimi në X, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Do të nisnim bisedime intensive me Turqinë për të gjetur, në frymën e bashkëpunimit të mirë dhe aleancës, modelin më të mirë në interes të të dyja palëve”, tha Spajiq.

Ai nuk dha arsye për heqjen e regjimit pa viza.

Operacion policor dhe thirrje antiturke

Njoftimi i Spajiqit erdhi pasi policia gjatë një aksioni në lagjen Zabello të Podgoricës arrestoi rreth 50 shtetas të Turqisë, përfshirë dy persona për të cilët dyshohet se morën pjesë në një përleshje ku një banor i Podgoricës, M.J., u plagos me thikë, njoftoi Policia malazeze pas orës 22:00 të dielën.

Përleshja ndodhi natën mes së shtunës dhe së dielës në një kafene në Zabello.

Gjatë arrestimeve, u mblodh një grup i madh qytetarësh që brohoritnin mesazhe me gjuhë të urrejtjes, përkatësisht duke nxitur dhunë ndaj turqve. Policia ndaloi disa nga të pranishmit që të afroheshin pranë objekteve ku ndodheshin shtetasit turq.

Qytetarëve iu drejtua edhe ministri i Punëve të Brendshme, Danilo Sharanoviq, i cili tha se është manipulim të thuhet se në Mal të Zi qëndrojnë 100.000 shtetas turq dhe shpjegoi se numri i tyre është 13.000, prej të cilëve 80 kanë qëndrim të përhershëm.

Mbrëmjen e së dielës, një numër i madh i automjeteve policore u vendosën para ndërtesës së Ambasadës turke në Podgoricë.

Deputeti Boris Bogdanoviq nga Partia Demokratike në pushtet, subjekti i ministrit Sharanoviq, publikoi një fotografi të arrestimeve me mbishkrimin: “Mbrojmë vendin tonë. Mbrojmë çdo shtëpi”.

Policia lidhi arrestimet me, siç tha, incidente me elemente dhune gjatë 24 orëve të fundit, në të cilat morën pjesë shtetas turq që qëndrojnë përkohësisht në Podgoricë.

Nga policia thanë se do të verifikojnë ligjshmërinë e qëndrimit të tyre dhe nëse gjatë qëndrimit ka pasur dhunë, mund të ketë veprime për anulimin e ëndrimit ose dëbim nga vendi.

Nga rreth 100.000 të huaj në Mal të Zi, 13.400 janë shtetas turq, sipas të dhënave zyrtare të policisë. Më shumë janë shtetas serbë dhe rusë, gjithsej rreth 50.000.

Ndryshe, Turqia është një ndër vendet për të cilat Mali i Zi ka hequr vizat, gjë për të cilën Komisioni Evropian ka kërkuar nga Podgorica që të harmonizojë politikën e vizave me Bashkimin Evropian. Shtetasve turq u kërkohet vizë për të hyrë në vendet e BE-së.

(Kosova Sot Online)