LDK: Ministrat e Qeverisë Kurti u kthyen në fotografë të fushatës për të fshehur dështimet
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, duke thënë se ministrat, deputetët dhe zyrtarët e lartë kanë braktisur zyrat për t’u angazhuar në fushatë, duke u shndërruar në “fotografë e kamermanë propagandistikë”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas tij, në vend që të udhëheqin ministritë dhe të punojnë për qytetarët, ata “enden rrugëve të Prishtinës me aparate në duar për të fshehur dështimet”, ndërsa fotografia e vërtetë e shtetit, siç u shpreh Dushi, është “e zymtë – me ekonomi të shkatërruar, drejtësi të sulmuar, institucione të paralizuara dhe raporte ndërkombëtare të ndërprera”, të cilat, sipas tij, po i ndien çdo ditë vetë populli i Kosovës.
Postimi i plotë:
Ministra, kabinetet e tyre, deputetë e zyrtarë të lartë të kësaj qeverie kanë braktisur zyrat ku duhet të punonin për qytetarët, duke u shndërruar në fotografë e kamermanë të fushatës. Në vend që të udhëheqin ministritë, ata enden rrugëve të Prishtinës me aparate në duar, duke kërkuar imazhe propagandistike për ta fshehur dështimin e tyre.
Ndërkohë, fotografia e vërtetë e shtetit është e zymtë: një ekonomi e shkatërruar, drejtësi e sulmuar, institucione të paralizuara dhe raporte ndërkombëtare të ndërprera. Këtë fotografi/pamje të trishtë që e krijuan krejt këta bashkë, e sheh gjithë bota — dhe e ndien çdo ditë, më rëndë se kurrë, vetë populli i Kosovës.
(Kosova Sot Online)
