Belgjika dëshiron të krijojë burgje në Kosovë
Për shkak të mungesës së hapësirës në burgjet e vendit, qeveria belge dëshiron që disa të burgosur ta vuajnë dënimin e tyre në Kosovë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas agjencisë belge të lajmeve Belga, qeveria po shqyrton mundësinë që në vendin ballkanik ta marrë me qira ose ta ndërtojë një burg për personat e dënuar që nuk kanë status të ligjshëm qëndrimi. Kosova ka një marrëveshje të ngjashme me Danimarkën.
Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, si edhe ministrja e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, udhëtuan së fundmi në Kosovë për bisedimet e para, shkruan n-tv, mediumi gjerman në pronësi të RTL.
Mungesa e hapësirës ka sjellë tashmë një ligj të ri
Burgjet e mbipopulluara janë problem në Belgjikë. Për këtë arsye, gjatë verës në këtë vend perëndimor hyri në fuqi një ligj i ri. Sipas tij, gjatë shqyrtimit të vendimeve gjyqësore duhet të jepet një arsyetim i saktë pse një dënim me burg është me të vërtetë i nevojshëm. Aktualisht mungojnë rreth 2.000 vende burgimi.
Në vitin 2014, Belgjika u dënua nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut për kushte të padenja në burgjet e saj dhe që nga atëherë është kritikuar disa herë për këtë arsye, ndër të tjera edhe nga Këshilli i Evropës. Sipas agjencisë belge të lajmeve, përcjell mediumi gjerman, Kosova dëshiron mbështetje nga Belgjika në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Deri tani, vendi është vetëm kandidat potencial për anëtarësim.
(Kosova Sot Online)
