Policia kërkon ndihmë për gjetjen e Florjan Tabakut që humbi duke mbledhë gështenja

  • A.P /
  • 29 October 2025 - 15:07
Policia kërkon ndihmë për gjetjen e Florjan Tabakut që humbi duke mbledhë gështenja

Policia rajonale e Gjakovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve dhe të mediave për gjetjen e shtetasit të Shqipërisë, Florjan Tabaku, i cili u zhduk derisa po mblidhte gështenja në zonën kufitare “Qafë Morinë-Gjakovë”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Për humbjen e tij u raportua më 21 tetor dhe për gjetjen e tij janë angazhuar edhe njësitë e Shqipërisë edhe të Kosovës, si dhe organizata vullnetare, por deri më tani ende nuk është gjetur.

Policia ka publikuar edhe fotografi të Tabakut me qëllim të identifikimit të tij.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, Stacioni Policor në Gjakovë njofton opinionin publik se më 21.10.2025 është raportuar për zhdukjen e personit: Florjan Tabaku, i lindur më 15.06.1999 në Bajram Curr (shtetas i Shqipërisë). Sipas familjarëve, personi i zhdukur gjatë mbledhjes së gështenjave në zonën kufitare “Qafë Morinë-Gjakovë”  ka humbur kontaktin me familjarët dhe nuk është gjetur më. Në momentin e largimit ai ishte i veshur me: pantallona të zi, bluzë të kuqe dhe  atlete (patika) të bardha”.

Që nga dita e raportimit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë tha se e mbështetur edhe nga njësi të specializuara të PK-së, FSK dhe organizatat vullnetare për kërkim dhe shpëtim, ka ndërmarrë veprime intensive operative dhe hetimore për gjetjen e tij, mirëpo deri më tani nuk është arritur të lokalizohet.

“Me qëllim gjetjen e tij sa më të shpejtë, Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe të mediave. Nëse dikush ka ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e Florjan Tabaku (personi në fotografi), lutemi të lajmërohet menjëherë në numrin e telefonit 192 (pa pagesë) ose në stacionin më të afërt policor”.

(Kosova Sot Online)