Kina shpreson që SHBA do t’i përmbush detyrimet e traktatit
Kina ka thënë se shpreson që Shtetet e Bashkuara do t’i përmbushin “me përkushtim” detyrimet e tyre në kuadër të Traktatit Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Testeve Bërthamore, pas njoftimit të presidentit amerikan se Amerika do të fillojë “menjëherë” testimin e armëve bërthamore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës tha se Kina shpreson gjithashtu që SHBA do ta përmbush “angazhimin e tyre për t’i pezulluar testet bërthamore dhe të ndërmarrin veprime konkrete për ta mbrojtur regjimin ndërkombëtar të çarmatimit bërthamor dhe të mos përhapjes, si dhe për të ruajtur harmoninë dhe stabilitetin strategjik global”.
“Ne jemi në dijeni të raporteve përkatëse. Dua të theksoj se politika bërthamore e Kinës është e qëndrueshme dhe e qartë”, tha koloneli i lartë Zhang Xiaogang, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës, në një konferencë për shtyp.
Presidenti Donald Trump tha se i ka udhëzuar forcat e Pentagonit të fillojnë testimin e armëve bërthamore pas një moratoriumi 30-vjeçar, duke thënë se Kina dhe Rusia – dy fuqitë e tjera të mëdha bërthamore në botë – mund ta arrijnë SHBA-të brenda pesë vjetësh.
Nga tri kombet, Kina ishte e fundit që testoi një armë bërthamore, në vitin 1996. Testi i fundit bërthamor i Rusisë ishte në vitin 1990, ndërsa SHBA-ja shpërtheu për herë të fundit një pajisje bërthamore në vitin 1992.
Politika zyrtare bërthamore e Kinës parashikon se ajo nuk do të përdorë armë bërthamore përveçse në rast se sulmohet e para, dhe se forcat e saj bërthamore mbahen në “nivelin minimal të kërkuar për sigurinë kombëtare”.
(Kosova Sot Online)
