Osmani i ka ftuar partitë në një takim
Presidentja Vjosa Osmani i ka ftuar partitë në një takim që do të mbahet nesër në ora 12:00, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Këtë e konfirmoi Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.
“Takimi është ftuar për nesër në orën 12:00”, tha ai.
Ky takim vjen pas dështimit të 26 tetorit kur Kurti nuk arriti t’i marrë 61 vota për formimin e qeverisë.
Ditë më parë, Kupina tha se në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike do të potencojë rëndësinë e miratimit të buxhetit për vitin 2026 dhe miratimin e Planit të Rritjes.
“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencoj rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit. Në këtë kuadër, Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.”
(Kosova Sot Online)
