Osmani sot do t’i presë në zyrën e saj liderët e partive politike

  • A.P /
  • 31 October 2025 - 08:00
Osmani sot do t’i presë në zyrën e saj liderët e partive politike

Presidentja Vjosa Osmani sot nga ora 12:00 do t’i presë në zyrën e saj liderët e partive politike për konsultim pasi mandatari i parë, Albin Kurti i partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje, dështoi t’i fitonte votat e mjaftueshme në Kuvend të dielën për ta zgjedhur qeverinë e re, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Takimin e ka konfirmuar dje këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar të gjitha partitë.

Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, dje pas një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, në përgjigje të pyetjes nëse do të ketë një mandatar të ri nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se këtë qëndrim do ta shpalosin sot në takimin me Osmanin.

Ndërkaq, kryetari i partisë së dytë fituese, Memli Krasniqi, të dielën e hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës në rast se presidentja do ta pyeste nëse e ka shumicën.

 Sipas Kushtetutës, Osmani duhet të caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh nga dështimi i mandatarit të parë.

Megjithatë, ky takim u pa si një shtrim rruge për zgjedhje të reja meqë nuk ka shenja për krijim të shumicës parlamentare.

(Kosova Sot Online)