 
															Dogana e Kosovës del me njoftim
 
															Dogana e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë në pikën e kalimit kufitar të Vërmicës gjatë një kontrolli të përbashkët ndërmjet zyrtarëve të Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, është zbuluar një rast i posedimit të paautorizuar të substancave narkotike, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Rasti është evidentuar pas selektimit për kontroll të një automjeti që po hynte nga Republika e Shqipërisë në Kosovë.
“Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit në vijën e dytë, nën ulësen e shoferit është gjetur një qese najloni e tejdukshme që përmbante substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë rreth 500 gramë”, tha Dogana.
Po ashtu, gjatë kontrollit trupor të personit është gjetur edhe një sasi e vogël e substancës së dyshuar marihuanë, me peshë rreth 0.57 gramë.
“Menjëherë pas zbulimit, personi i përfshirë është arrestuar dhe rasti është dorëzuar për trajtim të mëtejshëm tek njësitet kompetente të hetimeve të Doganës dhe Policisë së Kosovës. Njësia për hetime ka konfirmuar përmes testit fushor se substanca e sekuestruar është e llojit kokainë. Kontrolli i mëtejshëm i automjetit është kryer edhe përmes skanerit në bashkëpunim me autoritetet doganore të Republikës së Shqipërisë, ku nuk janë gjetur materiale të tjera të dyshimta. Drejtoria e Hetimeve të Doganës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të vazhdojë veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Ky rast dëshmon angazhimin e përbashkët të institucioneve për mbrojtjen e kufijve, parandalimin e kontrabandës dhe luftimin e trafikimit me substanca narkotike”, u tha në njoftim.
(Kosova Sot Online)
 
																													 
																													 
																													 
																													 
																													 
																													