 
															OVL e UÇK-së i reagon Kurtit për rritje pagash e pensionesh
 
															Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka reaguar qeverisë në detyrë se edhe në vendimet sotme për pagën minimale dhe rritjen e pensioneve – vendime të cilat i quajtën mashtrime për publikun – nuk u përmenden fare pensionet e veteranëve të luftës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës reagon ndaj deklarimeve të sotme të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili në mbledhjen e Qeverisë ka folur për rritje të pensioneve dhe pagave, por edhe kësaj radhe nuk ka përmendur fare pensionet e veteranëve të luftës. Në një kohë kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve, Qeveria në detyrë po mundohet të krijojë përshtypje mashtruese me premtime për rritje që nuk mund të realizohen pa buxhet të miratuar nga Kuvendi. Por edhe në këtë tentativë për mashtrim të qytetarëve, ku u përmendën të gjitha kategoritë shoqërore, veteranët e luftës së UÇK-së u anashkaluan sërish qëllimisht”.
OVL e UÇK-së tha se “kjo është dëshmi e qartë se diskriminimi ndaj atyre që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës po vazhdon”.
“Në vend që të përmirësohet trajtimi i dinjitetshëm për veteranët, Qeveria në largim po tenton t’i harrojë ata plotësisht, madje edhe në momentet e fundit të mandatit. OVL UÇK kërkon që çdo qeveri e ardhshme të kthejë atë që na takon me ligj, përfshirjen e pensioneve të veteranëve në rritjen e pagës minimale, të drejtë që u mohua padrejtësisht nga qeveria Kurti me ndihmën e Listës Serbe”.
(Kosova Sot Online)
 
																													 
																													 
																													 
																													 
																													 
																													