Vuçiq po humb besimin e qytetarëve
Gazeta gjermane “Frankfurter Rundschau (FR)” ka kritikuar ashpër presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se protestat masive të mbajtura dje në Novi Sad treguan se ai “nuk mund t’i injorojë më qytetarët dhe as t’i qetësojë me fjalë boshe”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas raportimit të këtij mediumi gjerman, mijëra studentë që marshuan disa ditë me radhë drejt Novi Sadit “mobilizuan të gjithë vendin”, pavarësisht përpjekjeve për t’i penguar me ndërprerje të lidhjeve hekurudhore e autobusëve për shkak të “pretendimeve për kërcënime me bomba” dhe me “punime të improvizuara në rrugët hyrëse të qytetit”.
“Pushtetari dhe shoqëruesit e tij dështuan në përpjekjet për të fyer studentët si terroristë apo fashistë, për t’u atribuar atyre rituale satanike apo për t’i akuzuar se po përgatisin sulme të përgjakshme,” shkruan gazeta, duke theksuar se pushteti serb ka dështuar në përpjekjet për t’i diskredituar protestuesit.
FR kujton edhe një deklaratë ironike të Vuçiçit, i cili në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se çfarë pret nga ngjarjet e së shtunës në Novi Sad, u përgjigj me ton përçmues: “Çfarë ndodh, a është ndonjë ndeshje futbolli?”
Gazeta e përshkruan ndryshimin e papritur të retorikës së Vuçiçit, i cili para komemoracionit në Novi Sad kërkoi falje për fjalët e ashpra ndaj demonstruesve dhe u shpreh se ishte i gatshëm për dialog, si “të pasinqertë dhe të vonuar”.
“Ky kthesë retorike, që presidenti serb – ky kameleon politik – tentoi ta bëjë në momentin e fundit, ishte e pavërtetë dhe pa bindje,” shkruan FR, duke shtuar se studentët e kanë quajtur këtë falje hipokrite dhe të vonuar.
Në analizën e saj, gazeta gjermane e përshkruan Vuçiçin si “kryespekulantin” që “në shtator kishte lejuar që policia të rrihte demonstruesit, t’i qëllonte me plumba gome dhe t’i fuste në burg”. Për një numër gjithnjë e më të madh njerëzish, vazhdon FR, Vuçiçi është bërë vetë shkaku kryesor i krizës politike në Serbi.
Në përfundim, “Frankfurter Rundschau” thekson se sondazhet e fundit tregojnë një rënie të dukshme të besimit të qytetarëve ndaj Vuçiçit dhe partisë së tij në pushtet, SNS.
(Kosova Sot Online)
