Trump paralajmëron ndërhyrje ushtarake
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar një ndërhyrje ushtarake në Nigeri nëse qeveria e këtij vendi nuk ndalon vrasjet e të krishterëve nga terroristët islamikë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në platformën e tij TruthSocial, Trump deklaroi se SHBA-të mund të ndërpresin ndihmën dhe, në rast të mosveprimit, të dërgojnë forcat e armatosura për të shkatërruar grupet terroriste. Ai gjithashtu urdhëroi Departamentin e Mbrojtjes të përgatitet për një veprim të mundshëm, duke paralajmëruar se qeveria nigeriane duhet të veprojë shpejt.
Pak më herët, SHBA-të e kishin futur Nigerinë në listën e “vendeve me shqetësim të veçantë” për çështjet e lirisë fetare, duke theksuar se krishtërimi përballet me një kërcënim ekzistencial. Presidenti nigerian, Bola Tinubu, e ka kundërshtuar këtë gjë dhe pritet të takohet me Trump për të diskutuar situatën.
Vendimi amerikan erdhi pas muajsh lobimi nga ligjvënës konservatorë që e cilësojnë situatën e krishterëve në Nigeri si një “gjenocid”. Këto akuza mbështeten gjithashtu nga organizata dhe politikanë të krahut të djathtë evropian.
Përplasje mes të krishterëve dhe myslimanëve
Në verilindje, kryesisht prej Boko Haram dhe grupit të tij, ISWAP, kanë humbur jetën mbi 40 mijë persona që nga viti 2009 dhe mbi 2 milionë banorë janë larguar nga zonat e tyre.
Në qendër të vendit, përplasjet mes fermerëve kryesisht të krishterë dhe blegtorëve myslimanë për tokat shkaktojnë dhunë me episode të përsëritura. Në veriperëndim, bandat kriminale terrorizojnë komunitetet lokale duke sulmuar, vrarë dhe rrëmbyer njerëz për të marrë shpërblime, duke djegur dhe plaçkitur fshatra.
Së fundmi, grupi xhihadist JNIM ka kryer sulmin e tij të parë në Nigeri, duke vrarë një ushtar në veri të shtetit Kwara, pranë kufirit me Benin.
Sulmi tregon zgjerimin e kërcënimit islamist në vend dhe dobësinë e sigurisë kombëtare, pasi presidenti Tinubu së fundmi ka zëvendësuar udhëheqësit kryesorë të forcave të armatosura. Sipas këshilltarit të Trump për Afrikën, Massad Boulos, që jeton prej dekadash në Nigeri, xhihadistët në veri të vendit shpesh shënjestrojnë edhe myslimanët që nuk i konsiderojnë të devotshëm.
Situata komplekse në Nigeri, ndarja mes veriut mysliman dhe jugut kryesisht të krishterë, përplasjet për tokat dhe kërcënimi në rritje nga grupet xhihadiste, ka alarmuar ndërkombëtarët dhe e ka bërë çështjen e sigurisë së komunitetit krishterë një prioritet për administratën amerikane.
(Kosova Sot Online)
