Paraburgim për personin që dyshohet se e kërcënoi gjyqtarin

  • A.P /
  • 05 November 2025 - 15:52
Paraburgim për personin që dyshohet se e kërcënoi gjyqtarin

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar një muaj paraburgim A.N. që dyshohet për kanosje ndaj gjyqtarit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai dyshohet se “më 3 nëntor 2025, rreth orës 09:00 në Ferizaj, përkatësisht në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, i pandehuri me dashje, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, ka kanosur seriozisht me fjalë se do t`i shkaktoj ndonjë të keqe personit zyrtar – të dëmtuarit I.B., në lidhje me pozitën e tij zyrtare si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në atë mënyrë që pasi që kishte refuzuar pranimin e aktgjykimit, me anë të së cilës është shpallur fajtor dhe gjykuar, kërkon takim me gjyqtarin në zyre dhe pasi që nuk pranohet, në prani të stafit mbështetës të gjykatës: K.L., A.Sh., Sh.R., Sh.H., dhe praktikantëve R.S., dhe E.K., me sjellje të vrazhdë, në shenjë revolte dhe me tonë të lartë kanos me fjalë se: “Veç mos e zafsha në udhë qat I.”, dhe fjalë tjera ofenduese, me ç`rast si pasojë e këtyre fjalëve dhe veprimeve tek i dëmtuari ka shkaktuar shqetësim dhe pasiguri”.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK- së, dhe të njëjtëve i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.”

(Kosova Sot Online)