Murati sulmon PDK-në, VV e Kurtit shquhet për ruajtje të votave
Ministri në detyrë i Financave dhe deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka reaguar pasi në Mitrovicë të Jugut tashmë ka dyshimet për parregullsi në procesin e votimit dhe me këtë tashmë po merret edhe Prokuroria e shtetit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Murati ka sulmuar PDK-në duke thënë se në të kaluarën në bastione të kësaj partie dalja në zgjedhje ishte 120%.
“Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së.
Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet “kapeni hajnin”, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë”, ka shkaruar Murati.
Sipas tij, komisionerët dhe vëzhguesit e VV-së shquhen për mbrojtje të votës dhe integritetit zgjedhor.
(Kosova Sot Online)
