LDK: Fitorja e Përparim Ramës në Prishtinë është mesazh për Kurtin

  • A.P /
  • 12 November 2025 - 08:35
LDK: Fitorja e Përparim Ramës në Prishtinë është mesazh për Kurtin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, ka deklaruar se fitorja e Përparim Ramës në Komunën e Prishtinës përfaqëson një mesazh të qartë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Xhaferi ka theksuar se pavarësisht tentativave të Kurtit për ta bllokuar kryeqytetin në projekte e buxhet, qytetarët e Prishtinës nuk ranë pre e kësaj politike.

“Fitorja në kryeqytet i ka treguar Kurtit që, pavarësisht axhendës për bllokimin e Prishtinës si në buxhet, ashtu edhe në projektet madhore në qendër të qytetit nuk ka pasur sukses. Kurti ndoshta ka kaluar në çdo lagje të Prishtinës duke bërë presion, por kjo nuk i funksionoi, sepse qytetarët janë të vetëdijshëm”, ka deklaruar Xhaferi.

Sipas tij, taktikat e Kurtit për të penguar zhvillimin e kryeqytetit janë duke u kthyer në dështim politik.

Ai ka përmendur si shembull bllokimin e projektit të unazës së Prishtinës dhe mosnënshkrimin e garancisë për kredinë e saj.

“Është e pajustifikueshme që kryeministri e ka bllokuar për tre vite projektin e unazës së qytetit, që do t’u shërbente të gjithë qytetarëve të Kosovës, jo vetëm atyre të Prishtinës. Logjika e Kurtit për të penguar projektet madhore është ajo që i solli mesazhin nga kryeqyteti. Besoj se shumë shpejt do ta marrë edhe mesazhin në nivel qendror, sepse jemi një hap para zgjedhjeve,” ka shtuar deputeti ai.

Xhaferi gjithashtu ka theksuar se LDK-ja ka arritur fitore të rëndësishme në zgjedhje, duke udhëhequr në shtatë komuna përballë, siç e quajti ai, “makinerisë politike” të kryeministrit në detyrë.

“Ne kemi qenë përballë një makinerie të udhëhequr nga Kurti dhe disa ministra të tij. Në komunat ku ka qeverisur LDK-ja ka pasur bllokim dhe mungesë mbështetjeje financiare. Megjithatë, edhe në këto kushte, ne kemi dalë fitues në shtatë komuna, përfshirë kryeqytetin, që ka peshë sa tri apo katër komuna tjera. Duke parë këto rezultate, LDK është partia e parë politike në vend, si për nga numri i komunave, ashtu edhe i votuesve”, ka përfunduar Xhaferi.


(Kosova Sot Online)