Hajdari: Ishte jetike të siguroheshin rezervat shtetërore

  • A.P /
  • 14 November 2025 - 15:49
Hajdari: Ishte jetike të siguroheshin rezervat shtetërore

Ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndaj të cilës Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë para pak ditësh për rastin e rezervave shtetërore, sot ka dalë në një konferencë për media, duke u munduar të arsyetojë të gjitha veprimet e ndërmarra dhe mënyrën e veprimit si ministri e Qeveri për sigurimin e rezervave shtetërore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Hajdari ka thënë se Prokuroria Speciale do të duhej të merrte parasysh faktin që kishin dështuar për tri herë procedurat e prokurimit, për të siguruar rezervat shtetërore përmes operatorëve ekonomik.

Ajo ka thënë se në atë kohë ishte jetike që të siguroheshin rezervat shtetërore meqë shumë shtete kishin ndaluar eksportin.

Ajo ka përmendur edhe luftën në Ukrainë, si një prej arsyeve se pse ishte miratuar kërkesa për përjashtim nga procedurat e prokurimit për furnizim të rezervave shtetërore.

“Ishte jetike të siguroheshin rezervat shtetërore. Siguria kombëtare ishte në rrezik. Gjatë periudhës Shkurt-mars 2022, Ministria e Tregtisë s’ka mundur të realizojë asnjë ofertë me operatorë ekonomik, meqë shtetet tjera ndaluan eksportin.

Si rezultat i 3 shpalljeve që rezultuan pa sukses për konsolidimin e rezervave dhe si rezultat i luftës në Ukrainë, si ministri miratuam kërkesën që të përjashtohen procedurat”, ka thënë ajo.

Sipas saj, shmangia nga procedurat lejohej edhe me ligj.

“Në kohë të luftës, ishte me rëndësi të mbronim sigurinë tonë kombëtare. Një procedurë e tillë ishte e paraparë dhe e lejuar me ligj”, ka thënë Hajdari.

(Kosova Sot Online)