Rama shkarkon Erion Veliajn nga ky post
Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, e mbajtur më 19 shtator 2025, solli ndryshime të rëndësishme në drejtimin e saj, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në këtë mbledhje u vendos shkarkimi i Erion Veliajt, i cili e mbante postin e Kryetarit që prej vitit 2015, dhe emërimi i Kryebashkiakes së Durrësit, Emirjona Sako, në krye të Shoqatës.
Ky zhvillim ka ngjallur vëmendje të madhe, pasi u vu re se kryebashkiakët socialistë ndoqën urdhrat politikë të kryeministrit Rama për largimin e Veliajt nga çdo forum drejtues, duke reflektuar edhe në këtë rast ndikimin e drejtpërdrejtë të vendimeve të nivelit qendror.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura, kryetarët socialistë nuk arritën të tërheqin në këtë asamble përfaqësuesit e bashkive të opozitës.
Në këtë frymë bashkëpunimi institucional, mori pjesë si vëzhgues z. Fisnik Qosja, President i Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë të Opozitës, i cili pas mbledhjes deklaroi qartë se nuk aderon dhe nuk bashkëpunon me struktura të dominuara nga bashkitë socialiste, duke theksuar se bashkëpunimi mes bashkive duhet të mbetet mbi interesat politike.
Njoftim për Shtyp
Tiranë, 22 Tetor 2025
Në cilësinë e Presidentit të Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë, si dhe drejtues i forumit më të lartë të të zgjedhurve vendorë të partive opozitare, dëshiroj të sqaroj publikisht disa informacione të përhapura në disa media dhe rrjete sociale, që lidhen me bashkëpunimin me Shoqatën Kombëtare të Bashkive, ku aderojnë kolegët e mbështetur nga Partia Socialiste dhe partitë e mazhorancës.
Pjesëmarrja ime në Asamblenë e mbajtur më 20 shtator u bë ekskluzivisht në cilësinë time si President i Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë, në kuadër të një praktike normale bashkëpunimi dhe koordinimi vjetor ndërmjet dy organizatave përfaqësuese të të zgjedhurve vendorë. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi problematikat që lidhen me pushtetin vendor në Shqipëri dhe, mbi të gjitha, dërgimi i një mesazhi të qartë për partnerët tanë ndërkombëtarë Komisionin Europian, Këshillin e Europës, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, se kur bëhet fjalë për interesat strategjike të vendit dhe integrimin, i lënë mënjanë ndasitë politike për të bashkëpunuar në funksion të së mirës së përbashkët. Kështu kemi bërë dhe kështu do të vazhdojmë të bëjmë gjithmonë.
Duke thënë këtë, dëshiroj të theksoj se, përtej këtij bashkëpunimi korrekt dhe institucional, nuk ka ndodhur asnjë bashkim apo përfshirje në strukturat e njëra-tjetrës.
Shoqata që unë drejtoj i qëndron plotësisht besnike vendimeve të Asamblesë, e cila përcakton qartë se ne do të bashkëpunojmë me kolegët tanë, organizatat e tjera dhe institucionet shtetërore vetëm në funksion të interesit publik dhe konsolidimit të autonomisë vendore, duke ruajtur të paprekur identitetin dhe misionin e Shoqatës që përfaqëson ekskluzivisht bashkitë dhe këshilltarët e zgjedhur vendorë nga radhët e opozitës.
Fisnik Qosja
President
Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë
(Kosova Sot Online)
