Serbia në krizë, kjo është arsyeja

  • A.P /
  • 15 November 2025 - 17:05
Serbia në krizë, kjo është arsyeja

Nafta për përpunim në Rafinerinë e Pançevës, e cila është pjesë e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), sipas llogarive të zyrtarëve, mjafton edhe për dhjetë ditë të tjera, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Për shkak të sanksioneve të SHBA-së kundër NIS-it, që kanë ardhur si rezultat i pronësisë shumicë ruse, furnizimi me naftë të papërpunuar për Serbinë është ndërprerë.

Me ndihmën e shtetit, apo përmes sasive të naftës nga rezervat shtetërore, rafineria në Pançevë do të ketë lëndë të parë vetëm deri më 25 nëntor.

Në rast të zvogëlimit të kapaciteteve ose ndalimit të punës pas këtij afati, të parët që do ta ndienin goditjen, do të ishin punëtorët e rafinerisë.

“Deri tani kemi arritur të kontribuojmë që kufizimet e shkaktuara nga sanksionet, të mos e rrezikojnë sigurinë ekzistenciale të punëtorëve, por është e rëndësishme që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje e qartë dhe e qëndrueshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bozho Dostiq, kryetar i Sindikatës së Rafinerisë së Naftës në Pançevë.

Ai shton se në NIS punojnë rreth 13.500 persona, ndërsa nga kompania varen indirekt edhe rreth 20.000 anëtarë të familjeve të tyre.

Prioritet i sindikatës, sipas Dostiqit, është që “asnjë familje të mos i ndiejë pasojat e situatës aktuale”.

“Të ruhet çdo vend pune dhe të mbrohen të drejtat, të paktën në nivelin e garantuar nga Marrëveshja Kolektive”, shton ai.


(Kosova Sot Online)