Disa shkolla në kryeqytet anulojnë mësimin
Disa shkolla në Prishtinë kanë anuluar mësimin për shkak të reshjeve të shiut dhe paralajmërimeve për vërshime, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në njoftimet që u janë dërguar prindërve thuhet se vendimi është marrë në bashkëpunim më Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe zyrtarët e emergjencës.
Në shkollën “Ismail Qemali” mësimi është anuluar vetëm në ndërrimin e pasdites. Ndërkohë që në shkollën “Nazim Gafurri”, në të cilën zhvillohet mësim gjithditor nuk do të mbahet mësimi.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë sot dhe nesër (18 dhe 19 nëntor) si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut e që kanë nisur nga orët e para të së martës.
“Për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, në bashkëpunim me DKA-në dhe zyrtarët e emergjencës, është vendosur që te ndërrimi i pasdites të mos zhvillohet procesi mësimor”, thuhet në njoftimin e dërguar tek prindërit që i kanë fëmijët në shkollën “Iliria” në Prishtinë.
(Kosova Sot Online)
