Anulohet seanca ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarve për spiunazh Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, e paraparë të mbahej sot, është anuluar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Anulimim është bërë pasi thuhet se trupi gjykues në këtë çështje penale ka urdhëruar një ekzaminim lidhur me gjendjen mendore të të pandehurit Shabani, sipas propozimit të mbrojtjes së tij.
“Anulimi është bërë nga trupi gjykues dhe bazohet në faktin se është urdhëruar ekzaminimi psikitatrik i të pandehurit B.SH., i cili ekzaminim nuk mund të përfundohet në kohë të shkurtër”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka njoftuar se lidhur me caktimin e datës së radhës në këtë çështje penale, palët do të njoftohen paraprakisht, përmes ftesave të gjykatës.
Shabani dhe Qerimi janë të akuzuarit e parë për spiunazh që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Në aktvendimin për konfirmim të aktakuzës të nxjerrë më 30 prill, Themelorja ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Shabani dhe Qerimi kanë bërë spiunazh si pjesë e BIA-s.
(Kosova Sot Online)
