Kroacia do ta bllokojë rrugën evropiane të Serbisë
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha të mërkurën se Kroacia nuk do t’i japë dritën jeshile Serbisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian derisa të zgjidhet çështja e personave të zhdukur, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Çështja e personave të zhdukur dhe çështja e hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian janë dy gjëra të lidhura”, u tha Anushiq gazetarëve pasi dërgoi kontingjentin e 44-të të ushtarëve kroatë në misionin KFOR në Kosovë, duke shtuar:
“Nuk mund të ndodhë që një vend të mos ketë zgjidhur çështje dypalëshe me një tjetër, dhe tjetri, në këtë rast Kroacia, të japë dritën jeshile për t’u bashkuar me BE-në”, tha ministri.
Ai theksoi se çështja e personave të zhdukur është thelbësore në marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë dhe se ata presin që Serbia të përmbushë detyrimet e saj, raporton Hina.
Kroacia është ende duke kërkuar eshtrat e 1,740 personave që u zhdukën gjatë agresionit kundër Kroacisë.
(Kosova Sot Online)
