Sallahu: Shkarkimi i u.d. të kryeprokurorit i kundërligjshëm
Ditën e sotme, Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Lidhur me këtë ka reaguar, ushtruesi i detyrës së ministrit në Ministrinë e Drejtësisë, Blerim Sallahu, duke thënë se zhvillimet e fundit në KPK ‘’po shpalosin realitetin se vendimmarrja brenda kësaj përbërje po dominohet nga përplasje të brendshme, gara për pushtet dhe lëvizje të koordinuara mes grupeve, e jo nga interesi i shtetit dhe i drejtësisë’’, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Tutje, ai ka thënë se, sipas tij, KPK ka një problem thelbësor të funksionimit e që sipas Sallahut, është një ‘’ përbërje e fragmentuar, e përçarë, e cila nuk arrin të vendosë mbi bazën e profesionalizmit dhe integritetit’’.
‘’ Drejtësia nuk mund të ecë përpara nëse organi që garanton pavarësinë dhe llogaridhënien e prokurorëve vetë funksionon me logjikën e grupeve dhe të dominimit të brendshëm. Shkarkimi i kundërligjshëm i u.d. Kryeprokurorit, Besim Kelmendi, është shkelje flagrante e ligjit nga ata të cilët duhet të jenë zbatuesit më të përpiktë të tij’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Postimi:
Zhvillimet e fundit në KPK po shpalosin realitetin se vendimmarrja brenda kësaj përbërje po dominohet nga përplasje të brendshme, gara për pushtet dhe lëvizje të koordinuara mes grupeve, e jo nga interesi i shtetit dhe i drejtësisë.
Kjo situatë, e cila po shfaqet hapur përmes kërkesave të ndërsjella për shkarkime, tregon qartë se KPK ka një problem thelbësor të funksionimit: një përbërje e fragmentuar, e përçarë, e cila nuk arrin të vendosë mbi bazën e profesionalizmit dhe integritetit, por sipas linjave të brendshme të influencës.
Drejtësia nuk mund të ecë përpara nëse organi që garanton pavarësinë dhe llogaridhënien e prokurorëve vetë funksionon me logjikën e grupeve dhe të dominimit të brendshëm.
Shkarkimi i kundërligjshëm i u.d. Kryeprokurorit, Besim Kelmendi, është shkelje flagrante e ligjit nga ata të cilët duhet të jenë zbatuesit më të përpiktë të tij.
Kosova ka nevojë për institucione të drejtësisë që punojnë për qytetarët, jo për grupime brenda zyrave.
Zhvillimet e fundit ngrisin alarmin për vazhdim të reformës së thellë për përgjegjësi dhe transparencë në çdo nivel të sistemit të drejtësisë.
Ftoj Zyrën e BE-së, Ambasadën Amerikane dhe partnerët tjerë ndërkombëtar të reagojnë lidhur me veprimet e kundërligjme brenda KPK-së.
Jetësimi i reformës që ka filluar nuk duhet ta friksojë askë dhe si e tillë do të duhet të zbatohet tërësisht, përmes së cilës eliminon grupet e interesit, rritë llogaridhënien, përgjegjësinë dhe transparencën.
(Kosova Sot Online)
