Sali Berisha shkon në Brazil
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po merr pjesë në asamblenë e përgjithshme të CDI në San Paolo. Kreu i PD thotë se do të paraqesë në dy ditët e zhvillimit të asamblesë situatën dramatike që është në Shqipërinë e drejtuar nga Edi Rama, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Çështjet e drogës, korrupsionit dhe rënies së shtetit ligjore do të jenë fokusi në takimet që pritet të zhvillojë në San Paolo.
Në këtë konferencë, sigurisht, duhet të paraqesim gjendjen dramatike në Shqipëri. Në këtë kuadër, natyrisht, temat e diskutimeve të mia me drejtues të forcave politike kryesore në botë dhe fjalës sime që do të mbaj në seancat e ndryshme të punimeve, nuk mund të jetë gjë më shumë se sa zhvillimet dramatike në Shqipëri droga, korrupsion dhe rënia e shtetit ligjor në një vend, si dhe përpjekjet për një sensibilizim edhe më të madh të komunitetit ndërkombëtar mbi zhvillimet e rënda në Shqipëri.
Në fjalën e tij në asamblenë e CDI, Berisha u shpreh se opozita në Shqipëri është në një luftë pasi pushteti i kriminalizuar i Edi Ramës po shkatërron demokracinë në Shqipëri.
‘Lufta jonë është e vështirë, por qëndrimi juaj ishte shumë i çmuar dhe i dobishëm për ne. Zonja Dolo, njeriu i parë në Evropë që i kërkoi Pedro Sanchez të mos japë dorëheqjen, ishte Edi Rama i Tiranës. ‘Të lutem mos u dorëzo, Pedro.’
Kjo është një aleancë korrupsioni dhe, në fakt, kur i kërkoi Pedro Sanchez të mos japë dorëheqjen, ai e dinte shumë mirë që vetë ishte i përfshirë në korrupsione të mëdha dhe të jashtëzakonshme. Por kjo aleancë është gjithashtu shumë problematike, sepse censuron, ndikon dhe i shkakton shumë dëme vendeve tona dhe demokracisë sonë’, tha Berisha.
Kreu i opozitës vuri në dukje se CDI është e para organizatë partiake ndërkombëtare që miratoi rezolutën që denoncoi narkoshtetin shqiptar dhe kryeministrin Rama si narkodiktator. Ai shoqërohet në San Paolo nga deputetët Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi.
(Kosova Sot Online)
