Pushteti mbetet te Dodiku në Republikën Sërpska

  • A.P /
  • 24 November 2025 - 12:30
Pushteti mbetet te Dodiku në Republikën Sërpska

Zgjedhjet e parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska nuk ishin vendimtare, thotë Toby Vogel, analist në Këshillin për Demokratizimin e Politikave në Bruksel.

“Nuk jam i sigurt se në çfarë mase mund ta quaj këtë një triumf të SNSD-së, por sigurisht që nuk është triumf i opozitës”, thotë Vogel.

Komentet vijnë pas publikimit të rezultateve të para nga zgjedhjet e së dielës në këtë entitet të Bosnje dhe Hercegovinës, sipas të cilave, Sinisha Karan nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) doli fitues.

Duke shpallur fitoren e kandidatit të tij, Millorad Dodik – të cilit iu hoq mandati presidencial pas një vendimi të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar – tha se Republika Sërpska as që i ka dashur këto zgjedhje, por se tani “të gjithë do të shohin dy Dodikë”.

“Karan tani do ta përfundojë pjesën e mbetur të mandatit të Dodikut, që është rreth një vit deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. Prandaj, mund të thuhet se, nëse opozita nuk arriti të fitojë tash, do ta ketë edhe më të vështirë vitin tjetër, kur në të vërtetë vendoset për pushtetin real dhe për një ndryshim të mundshëm politik në Banjallukë”, thotë Vogel.

(Kosova Sot Online)