KQZ mblidhet prapë për buxhetin
Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, në vlerën e rreth 7.8 milionë eurove, nuk mori dritën e gjelbër në mbledhjen e së hënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Pas më shumë se një orë debat, në fund u vendos që buxheti i propozuar të rikthehet për vlerësim në Këshillin e Buxhetit të KQZ-së dhe të dalë prapë për votim në KQZ.
Pikërisht për këtë temë, KQZ do të mbajë mbledhje të martën, në orën 13:30.
Përfaqësuesit në KQZ të partive ish-opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar këtë buxhet me arsyetimin se nuk parashikon zbatimin e nenit 9 të rregullores zgjedhore për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës.
Sipas anëtarëve të KQZ-së, duhet të vazhdohet me zbatimin e rregullores ashtu siç është vepruar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe në raundin e dytë të 9 nëntorit.
Në këtë nen thuhet se: “KQZ sigurohet që votuesve të regjistruar për votim me postë t’u dërgoj përmes postës: Fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes”.
(Kosova Sot Online)
