Imami Gurra alarmon për ‘xhami problematike’ në Tiranë

  • A.P /
  • 01 December 2025 - 11:00
Imami Gurra alarmon për ‘xhami problematike’ në Tiranë

Imami Ylli Gurra ka ngritur alarmin për prezencën e disa xhamive në Shqipëri, të cilat sipas tij janë kthyer në filiza të ekstremizmit dhe radikalizmit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Gurra përmendi konkretisht një xhami brenda Unazës së Tiranës, duke akuzuar Komunitetin Mysliman se nuk ka ndërhyrë për të rikthyer rendin dhe për të emëruar imam të duhur.

“Duhet të bëhet një ndarje mes besimit të sinqertë të myslimanëve dhe atyre që manipulojnë ideologjinë. Ka xhami që janë kthyer në filiza ekstremizmi, duke dërguar qytetarë shqiptarë në Siri dhe Jemen. Një nga këto objekte është brenda Unazës së Tiranës, ndërkohë që ka raste edhe në Pogradec, Pukë dhe Kryeviz,” tha Gurra për A2CNN.

Ai kujtoi ndërhyrjen e forcave të sigurisë dhe të SHISH në Xhaminë e Mëzezit në vitin 2014, ku u vendos që të caktohej një imam për të frenuar predikimet radikale dhe keqpërdorimet e besimit.

Gurra shtoi se, për fat të keq, disa xhami në Tiranë dhe në vend mbeten të paprekura dhe disa individë vazhdojnë të shfrytëzojnë objektet e kultit për përfitime personale në emër të islamit.

Më tej akuzoi rrogëtarët e Komunitetit Mysliman për apati dhe mosbashkëpunim, duke nënvizuar se ky qëndrim mund të lejojë përhapjen e ideologjive ekstremiste edhe në të ardhmen.

“Komuniteti nuk tregoi vullnet për të përfshirë xhaminë e Unazës së Re me imam të emëruar dhe të funksionojë siç duhet, si gjithë objektet e tjera të kultit në Shqipëri,” përfundoi Gurra.


(Kosova Sot Online)