Hoti: Çdo debat me VV-në në këtë aspekt është i kotë

  • A.P /
  • 01 December 2025 - 12:00
Hoti: Çdo debat me VV-në në këtë aspekt është i kotë

Avdullah Hoti nga LDK ka thënë se kjo parti ka dërguar shumë ligje në Gjykatën Kushtetuese për shkak se si opozitë janë “fokusuar në kontrollin dhe parandalimin e dëmeve në ekonomi, në shoqëri e në integritetin shtetëror të Kosovës, të shkaktuara në vazhdimësi nga vendimet arbitrare të kryeministrit dhe ministrave, nga ligjet jokushtetuese të miratuara në Kuvendin e Kosovës dhe nga vendimet joligjore të agjencive të pavarura”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai shton se shumica prej këtyre ligjeve janë shpallur jokushtetuese.

Hoti thotë se në këtë kuptim duhet parë edhe ankesën e LDK’së në PZAP për vendimin e KQZ’së për votimin jashtë përfaqësive diplomatike. Sipas tij është naive të mendohet se mund të sigurohet integriteti i procesit të votimit në objekte private në shtete të huaja.

“Në këtë kuptim duhet parë edhe ankesën e LDK-së në PZAP, lidhur me vendimin e KQZ-së për votimin e diasporës jashtë përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës. Është naive të mendohet se mund të sigurohet integriteti i procesit të votimit në objekte private në shtete të huaja. Në këtë drejtim, ankesa e LDK-së duhet kuptuar si veprim për ruajtjen e integritetit të procesit të votimit, e rrjedhimisht edhe të integritetit të përgjithshëm shtetëror të Kosovës. Në vend se të pranohet vendimi i PZAP-së me përulësi e respekt ndaj këtij institucion, këta dalin e shajnë LDK-në. Është e qartë se këta nuk kuptojnë esencën e termit ‘integritet shtetëror’. Çdo debat me ta në këtë aspekt është i kotë. Këta përbuzës të shtetit të Kosovës duhet larguar me votë nga qeverisja.”

(Kosova Sot Online)