Çfarë roli pati Vuçiq në 'Sarajevo Safari'?
Kallëzimet e fundit të bëra nga gazetari kroat Domagoj Margetiq dhe avokati beogradas Cedomir Stojkoviq kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq – të cilin ata e lidhin drejtpërdrejt me “Sarajevo Safari” – kanë ndezur debat të gjerë politik, ndërsa çështja ka marrë një dimension të ri publik.
Sipas tyre, Vuçiq, atëkohë sekretar i Partisë Socialiste Serbe, ka marrë pjesë në transportimin e të huajve drejt pozicioneve të snajperëve mbi Sarajevë. Ata madje kanë prezantuar video ku pretendojnë se shihet vetë Vuçiq në terrenet e snajperistëve, me armë në dorë.
“Në atë padi, Stojkoviq akuzon Aleksandar Vuçiqin dhe personat N. N. për organizimin e transportit të të huajve në Sarajevë. Vuçiq ishte sekretar i Partisë Socialiste Serbe gjatë luftërave, është fakt që kjo parti dërgoi vullnetarë në fushën e betejës”, shkruan mediumi serb Radar.
Por ndërsa këto akuza po tronditin opinionin publik, mediumi investigativ serb Radar, shkruan se thelbi i krimit të snajperizmit – dhe përgjegjësitë e strukturave ushtarake serbe të kohës – vazhdon të mbetet i pazgjidhur.
Radar kujton se edhe pas më shumë se tri dekadash nga lufta, asnjë prokurori në rajon nuk ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj komandantëve të brigadave të Korpusit Sarajevë–Romanija, apo snajperistëve të tyre, të cilët për vite të tëra e mbajtën kryeqytetin boshnjak nën terror.
Mediumi thekson se, pavarësisht interesit të madh të mediave për fenomenin e “turistëve-snajperistë”, po harrohet fakti se snajperët që qëllonin çdo ditë mbi civilët ishin pjesë e njësive të rregullta ushtarake, jo aventurierë të ardhur nga jashtë.
Gjatë katër viteve të rrethimit, forcat serbe kryen granatime të pandërprera dhe përdorën snajperët si instrument për frikësim dhe vrasje të popullsisë civile brenda zonave të kontrolluara nga Armata e Bosnjë-Hercegovinës. Sipas gjykatësve të Tribunalit të Hagës, fushata e snajperizmit ishte një operacion i organizuar, i planifikuar për të goditur civilët nga pozicione të fshehta dhe distanca të mëdha.
Topografia e Sarajevës – kodrat përreth, ndërtesat e larta dhe pozicionet dominuese – u shfrytëzua në mënyrë ideale nga snajperistët e Sarajevsko-romanijski korpus dhe grupet vullnetare që vepronin së bashku me ta.
John Jordan, ish-marins amerikan dhe vullnetar në Sarajevë, dëshmoi në Hagë se intensiteti i sulmeve snajperiste rritej në ditët me mot të mirë:
“Njerëzit dilnin jashtë, objektivat shtoheshin, dhe snajperistët niseshin në punë.”
Dy dekada pas luftës, tabloja e dokumentuar e krimeve mori një dimension të ri me pretendimet se të huaj të pasur kishin paguar për të shtënë mbi civilët. Filmi dokumentar “Sarajevo Safari” i regjisorit slloven Miran Zupaniq, i shfaqur në vitin 2022, tronditi opinionin me dëshminë e një ish-agjenti amerikan, i cili pohon se kishte parë individë të pasur – kryesisht nga Perëndimi – që paguanin për të zënë pozicione snajperiste në kodrat mbi qytet.
Në dokumentar përmendet edhe një episod i vitit 1993, kur shërbimi informativ i Armatës së Bosnjës mori informacion nga një i burgosur serb rreth pesë të huajve, disa prej tyre italianë, që kishin paguar për të udhëtuar me një grup vullnetarësh nga Beogradi drejt Sarajevës. Rasti iu raportua autoriteteve italiane, të cilat thanë se “problemi është zgjidhur”.
Një dëshmi e rëndësishme që mungon në film është ajo e John Jordan në gjyqin kundër Dragomir Milosheviqit, ku ai rrëfeu se kishte parë të huaj të veshur me uniforma gjuetie që lëviznin nga një pozicion snajperist në tjetrin.
Në nëntor, prokuroria italiane hapi një hetim pas kallëzimit të gazetarit Ecio Gavaceni, sipas të cilit individë të pasur nga Italia, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kishin paguar deri 80–100 mijë euro për të marrë pjesë në këtë formë të “safari-snajperizmit”. Prokurori Gobis pranoi se hetimi do të jetë i kufizuar dhe jashtëzakonisht i vështirë.
Ndërkohë, një video e gazetarit francez Philippe Buffon, e publikuar në vitin 2021 dhe më pas e fshirë për shkak të kërcënimeve ndaj personave të filmuar, tregonte snajperistë serbë në Nedjariq duke folur hapur për qëllimin e tyre: të shtinin mbi civilë. Prokuroria e Bosnjës hapi hetim, por çështja iu transferua prokurorisë kantonale të Sarajevës dhe që atëherë ka mbetur në vendnumëro.
Dokumentet gjyqësore të Hagës kundër Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq e përforcojnë narrativën se snajperizmi ishte pjesë e organizuar e operacioneve ushtarake. Me urdhër të komandantit Stanislav Galiq, në tetor 1993 çdo brigadë e Korpusit Sarajevë–Romanija krijoi njësi të posaçme snajperësh, me komandantët përgjegjës për vendosjen dhe veprimet e tyre.
Ekspertët paralajmërojnë se fama e “turistëve-snajperistë” rrezikon të mbulojë të vërtetën thelbësore.
“Snajperizmi në Sarajevë ishte një krim i planifikuar, i kryer çdo ditë, për vite me radhë, nga një strukturë ushtarake e organizuar”.
“Snajperistët që vranë dhe plagosën mijëra civilë nuk ishin turistë – ishin pjesë e njësive të rregullta ushtarake. Ata, së bashku me komandantët e tyre, sot janë njerëz të lirë, shumica në Bosnjë e Serbi, jo në Itali apo vendet që përmenden në hetime”, shkruan Radar.
Dhe ndërsa kërkohen turistët, sipas mediumit, kriminelët e vërtetë mbeten të paprekur.
(Kosova Sot Online)
