SHBA dhe Ukraina kërkojnë nga Rusia 'përparim'

  • A.P /
  • 06 December 2025 - 15:05
SHBA dhe Ukraina kërkojnë nga Rusia 'përparim'

Zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas do të diskutojnë të shtunën në Majami të Shteteve të Bashkuara në të tretën ditë me radhë se si të përfundohet lufta në Ukrainë.

Megjithatë, ata e kanë pranuar njëzëri se “përparimi i vërtetë” varet nga dëshira e Moskës për t’i dhënë fund luftës.

“Të dyja palët janë pajtuar që përparimi i vërtetë drejt arritjes së ndonjë marrëveshjeje varet nga gatishmëria e Rusisë për të treguar përkushtim serioz për paqe afatgjatë, përfshirë hapat drejt shtensionimit dhe ndaljen e vrasjeve”, është thënë në një përmbledhje të publikuar nga autoritetet amerikane më 5 dhjetor.

Këto thirrje janë bërë nga i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff dhe Rustem Umerov, udhëheqës i delegacionit ukrainas në negociata, pas dy ditëve diskutime, të cilat janë përshkruar si “konstruktive”.

Dita e tretë e diskutimeve – në të cilat do të marrin pjesë edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump dhe Andri Hnatov, shef i stafit të forcave të armatosura të Kievit – vjen pasi ekipi negociator i Ukrainës është informuar për diskutimet që janë zhvilluar më herët gjatë kësaj jave në Moskë, në mes të presidentit rus, Vladimir Putin, Witkoffit dhe Kushnerit.

Qasja e Putinit

I dërguari i posaçëm amerikan është raportuar të ketë biseduar me Putinin për gati pesë orë më 2 dhjetor në Kremlin, mirëpo zyrtarët rusë kanë thënë se nuk është arritur kompromis në bisedime.

Kjo valë e angazhimit diplomatik vjen pas rrjedhjes së një plani amerikan prej 28 pikash në nëntor, se si mund të përfundojë lufta. Propozimi origjinal është parë në Kiev si shumë i favorshëm për Rusinë, ndonëse deri tash është përditësuar disa herë për t’i përfshirë shqetësimet e Ukrainës.

Versioni i fundit i përditësuar nuk është ndarë me publikun.

Pas bisedimeve në Rusi, Putini ka thënë se është i gatshëm të vazhdojë të takohet me amerikanët “sa herë të ketë nevojë”.

Në një tjetër deklarim të bërë këtë javë, presidenti rus, ka thënë për një medium indian më 5 dhjetor, sa ka qenë në një udhëtim në Nju Delhi, se trupat ukrainase duhet të largohen plotësisht nga rajoni i Donbasit në lindje të Ukrainës këtë javë, ose Rusia “do t’i çlirojë këto territore me forcë”.

Ukraina dhe aleatët e saj në Evropë e kanë vënë në pikëpyetje përkushtimin e Kremlinit për t’i dhënë fund luftës, dhe në deklarimet e fundit të zyrtarëve amerikanë shihet se është zhvendosur theksi te gatishmëria e Rusisë për të bërë kompromis.

Shumë aspekte vazhdojnë të jenë të paqarta, përfshirë garancitë e sigurisë për Ukrainën, në rast të arritjes së një marrëveshjeje për paqe, apo nëse ka koncesione territoriale.

Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë rajone në Donbas, i cili përbëhet prej provincave të Donjeckut dhe Luhanskut.

(Kosova Sot Online)