Kamala Harris mund të kandidojë për presidente të SHBA-së

  • A.P /
  • 15 December 2025 - 14:45
Kamala Harris mund të kandidojë për presidente të SHBA-së

Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ka dërguar sinjale të qarta se po përgatitet për një tjetër garë drejt Shtëpisë së Bardhë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, duke u bërë të qartë rivalëve të mundshëm se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga skena politike, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga disa drejtues të Partisë Demokratike dhe donatorë, të cilët dyshojnë në aftësinë e saj për të fituar zgjedhjet, Harris vijon të renditet në krye ose pranë kreut në shumicën e sondazheve paraprake demokrate. Ajo gëzon gjithashtu mbështetje të fortë mes votuesve me ngjyrë, një nga blloqet më vendimtare në garat paraprake presidenciale të demokratëve.

Sipas burimeve për “Axios”, Harris ka nisur të përdorë një retorikë të re politike, e cila po shihet nga shumë demokratë si hapat e parë drejt një fushate presidenciale. Gjatë një fjalimi të mbajtur këtë javë përpara zyrtarëve demokratë, ajo sulmoi ashpër si republikanët ashtu edhe vetë establishmentin politik.

“Të dyja partitë nuk kanë arritur të fitojnë besimin e publikut. Qeveria shihet si thelbësisht e paaftë për të përmbushur nevojat e popullit të saj. Njerëzit janë lodhur nga status quo-ja dhe janë gati të thyejnë rregullat për të detyruar ndryshimin”, tha Harris.

Duke iu referuar ish-presidentit Donald Trump, Harris e cilësoi atë si “një simptomë” të një problemi shumë më të thellë në sistemin politik amerikan.

Lëvizjet dhe mesazhet e fundit të Harris po interpretohen gjerësisht si përpjekje për të pozicionuar veten si figurë qendrore në garën demokrate të vitit 2028.

(Kosova Sot Online)