SHBA e Europa në pritje të përgjigjes nga Rusia
Deklaratat e para kanë ardhur nga Kremlini derisa nga SHBA dhe Ukraina kanë deklaruar se kanë pasë përparim të konsiderueshëm në ditën e dytë të bisedimeve të zhvilluara më 15 dhjetor për të përfunduar luftën në Ukrainë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Derisa ende po pritet përgjigjja nga Rusia mbi planin e propozuar të paqes, Kremlini ka bërë një deklaratë të shkurtë, duke thënë se Rusia ende nuk i ka parë detajet e propozimeve mbi garancitë e sigurisë dhe duke theksuar se Moska nuk do të donte një armëpushim “i cili vetëm do t’i ofrojë Ukrainës një pauzë për t’u përgatitur më mirë për vazhdimin e luftës”, raportoi Reuters.
Është raportuar që Uashingtoni t’i ketë ofruar Kievit garanci të sigurisë të modelit të Artikullit 5 të NATO-s.
Ndërkaq, zëdhënësi i Kremlinit, Dimtry Peskov, tha se Moska nuk kishte parë ende detaje të propozimeve mbi garancitë e sigurisë në stilin e NATO-s për Ukrainën, të cilat zyrtarët amerikanë dhe europianë thanë se Uashingtoni ka ofruar t’i sigurojë.
Po ashtul, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha këtë mëngjes se Moska ende nuk ka një pasqyrë të qartë të diskutimeve, pasi po pret një njoftim nga negociatorët amerikanë. Ai gjithashtu përjashtoi çdo lëshim territorial nga ana e Rusisë, shkruan The Guardian.
(Kosova Sot Online)
