Azemi: Artane Rizvanolli po i mashtron qytetarët
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Vizar Azemi, ka akuzuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për gënjeshtra lidhur me licencimin e kompanisë EFT për import të energjisë elektrike, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Përmes një reagimi publik, Azemi ka thënë se ministrja Rizvanolli nuk po thotë të vërtetën kur pretendon se Qeveria Kurti nuk e ka licencuar kompaninë EFT, e cila lidhet me biznesmenin serb Vuk Hamoviq.
Sipas Azemit, EFT është licencuar nga institucionet e Kosovës, por kompania, siç shprehet ai, është “fshehur” pas emrit “Energy Financing Team”, duke tentuar të shmangë vëmendjen publike.
Ai thekson se ekziston një vendim zyrtar i nënshkruar më 2 shtator 2021, i cili dëshmon se licenca për import të rrymës i është dhënë kësaj kompanie, duke shtuar se ndryshimi i emrit nuk e anulon vendimin dhe as nuk e zhduk licencën.
“Ndryshimi i emrit në search nuk e anulon vendimin dhe nuk e zhduk licencën. Ose ministrja nuk e di çfarë firmos, ose po i gënjen me vetëdije qytetarët”, ka deklaruar Azemi.
Në fund, kandidati i LDK-së ka bërë të ditur se ka paraqitur edhe kopjen e licencës, e cila, sipas tij, dëshmon se Qeveria Kurti ia ka dhënë licencën kompanisë EFT, të lidhur me biznesmenin serb.
(Kosova Sot Online)
