Latifi: Kurti priti momentin për goditjen fatale ndaj opozitës
“Kurti i tërhoqi zvarrë gjatë gjithë vitit, deri sa pa momentin e volitshëm për t’u dhënë goditjen fatale”, kështu i vlerëson analisti politik Blerim Latifi, rezultatet e zgjedhjeve të djeshme që e nxorën Vetëvendosjen fituese, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Latifi shprehet se opozita ka dështuar të nxjerrë mësime nga parime elementare të politikës dhe historisë, duke mos arritur të bashkojë forcat përballë një pushteti të fortë.
Sipas tij, përjashtim nga kjo qasje përbën vetëm Ramush Haradinaj.
Latifi kritikon ashpër drejtuesit e partive opozitare, të cilët i cilëson si politikisht të papjekur, duke thënë se ata u fokusuan për muaj të tërë në mosvotimin e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit.
Kjo, sipas tij, i dha Kurtit hapësirë politike për ta paraqitur opozitën si bllokuese të institucioneve, ndonëse bëhej fjalë për një të drejtë kushtetuese që i takonte partisë fituese.
“Politikisht të papjekur, ata u kapën iracionalisht pas mosvotimit të kandidatit të VV për kryetar të Kuvendit, duke u fokusuar mbi këtë çështje për muaj të tërë dhe duke i dhënë Kurtit hapësirë për ta akuzuar opozitën për bllokim të institucioneve – për një të drejtë kushtetuese që i takonte partisë së tij”, shkruan Latifi.
Ai thekson se betejat e ashpra politike nuk mund të fitohen me liderë që, sipas tij, pozitat i kanë siguruar rastësisht ose si dhuratë, duke nënvizuar nevojën për lidership më të qëndrueshëm dhe strategjik në opozitë.
(Kosova Sot Online)
