Trump po shqyrton ndërhyrjen ushtarake në Iran
Presidenti Donald Trump po shqyrton seriozisht disa opsione për veprim ndaj Iranit, përfshirë edhe ndërhyrjen ushtarake, pas dhunës së regjimit iranian kundër protestuesve, raportoi CNN duke cituar zyrtarë amerikanë. Trump është informuar për plane që fokusohen në shënjestrimin e forcave të sigurisë iraniane të përdorura për shtypjen e protestave, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Presidenti amerikan tha se Irani ka kërkuar negociata dhe se shqetësimi i tij kryesor mbetet vrasja e civilëve.
“Udhëheqësit e Iranit duan të negociojnë. Mendoj se janë të lodhur duke u rrahur nga Shtetet e Bashkuara. Irani dëshiron të negociojë me ne”, deklaroi ai.
Megjithatë, brenda administratës amerikane ka frikë se sulmet ushtarake mund të kenë efekt të kundërt, duke bashkuar popullin iranian rreth regjimit dhe duke nxitur hakmarrje ushtarake.
“Duket se ka disa njerëz të vrarë që nuk duhet të vriten. Këta janë të dhunshëm, nëse i quani udhëheqës. Nuk e di nëse udhëheqësit e tyre janë thjesht ata që sundojnë përmes dhunës, por ne po e shqyrtojmë shumë seriozisht”, u tha Trump gazetarëve të dielën në Air Force One. “Ushtria po e shqyrton këtë dhe po shqyrtojmë disa mundësi shumë të forta. Do ta bëjmë me vendosmëri.”
Përveç opsioneve ushtarake, SHBA po shqyrton masa alternative si sulme kibernetike, sanksione të reja ekonomike dhe mbështetje teknologjike për protestuesit, përfshirë ofrimin e internetit përmes Starlink.
Trump tha se mund të telefonojë Elon Musk, i cili zotëron Starlink, pasi të kthehet në Uashington nga Florida.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se çdo ndërhyrje amerikane do të pasohet me sulme ndaj bazave dhe interesave të SHBA-së.
“Nëse SHBA-ja ndërmerr veprime ushtarake ndaj Iranit ose territoreve të pushtuara, ushtria dhe qendrat e transportit detar të SHBA-së do të konsiderohen objektiva legjitime. Ne nuk kufizohemi vetëm në reagimin pasi është ndërmarrë një veprim”, tha Mohammad Baqer Qalibaf.
Kur u pyet se si do të reagonin Shtetet e Bashkuara nëse Irani do të sulmonte bazat ushtarake amerikane, Trump tha: “Ne do t’i godasim ato në nivele që nuk janë goditur kurrë më parë”.
Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, të paktën 490 protestues janë vrarë dhe mbi 10,600 persona janë arrestuar, përfshirë 169 fëmijë, gjatë protestave të fundit në Iran.
(Kosova Sot Online)
