Plagosja e trefishtë në Deçan: Dy janë serbë, një shqiptar

  • A.P /
  • 13 January 2026 - 15:00
Plagosja e trefishtë në Deçan: Dy janë serbë, një shqiptar

Tre persona mbetën të plagosur pas disa të shtënave me armë zjarri pas mesnate të martën në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Tri viktimat u dërguan me urgjencë nё spitalin rajonal nё Pejë, ndërsa i dyshuari u arrestua në vendngjarje.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se dy nga të plagosurit janë të nacionalitetit serb dhe tjetri shqiptar.

“Pas mesnatës në një lokal në Deçan ka ndodhur një rast ku janë plagosur tre persona nga një person i dyshuar. Në këtë rast ka intervenuar një zyrtar policor, i cili e ka arrestuar në vendin e ngjarjes të dyshuarit dhe menjëherë ka dal Policia e Kosovës ndihmë, teknika edhe njëkohësisht prokurori i krimeve të rënda. Personi i dyshuar është arrestuar dhe tre personat e tjerë janë dërguar menjëherë për trajtim mjekësor dhe dy nga të plagosurit janë të nacionalitetit serb dhe njëri është i nacionalitetit shqiptar, i cili ka qenë bashkë me ta dhe është avokat”, tha Nikçi.

Për këtë rast u deklarua edhe Spitali i Përgjithshëm në Pejë.

“Mbrëmë, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë pranuar tre pacientë të plagosur me armë zjarri. Pas dhënies së ndihmës së nevojshme mjekësore, dy pacientë janë bartur për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Një pacient po vazhdon trajtimin në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën”.


(Kosova Sot Online)