Zelensky: A e dini se gjendja në Ukrainë është serioze?
Presidenti ukrainas,Volodymyr Zelensky, parashikon sulme të reja masive nga Rusia. Në video-mesazhin e tij ditor ai iu referua informacioneve të shërbimeve sekrete dhe i kërkoi popullsisë ukrainase që t’i marrë seriozisht paralajmërimet.
Ukraina ishte sërish objekt i bombardimeve nga Rusia prej të cilave ka pasur të vrarë dhe shumë të plagosur në disa rajone. Zelenski tha në video-mesazhin e tij të ditor se krahas raketave balistike, po përdoren edhe dronë ushtarakë dhe raketa me rreze të mesme veprimi, të afta për të transportuar armë bërthamore.
Përdorimi i këtyre raketave ishte edhe shkak për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë së cilës SHBA i kritikoi sulmet ruse ndaj Ukrainës dhe e quajti përdorimin e një rakete me rreze të mesme veprimi të aftë për të transportuar armë bërthamore si një “përshkallëzim të rrezikshëm”.
Rrjeti elektrik i Ukrainës është dëmtuar rëndë nga sulmet sistematike që ka Rusia i ka intensifikuar së fundmi. Ndërprerjet e energjisë elektrike janë të zakonshme. Ukrainasve u duhet të mbijetojnë çdo ditë për orë të tëra pa energji elektrike dhe ngrohje.
Elektricistët ukrainas po punojnë prej javësh për ta mbajtur rrjetin elektrik në funksion.Fotografi: Gleb Garanich/REUTERS
Për shkak të bombardimit të termocentraleve qindra-mijëra familje në rrethinat e Kievit janë pa energji elektrike ose ngrohje. Po ashtu sulme ka pasur edhe në Odesë dhe Karkiv. Zelenski tha se elektricistët po punojnë prej javësh për ta mbajtur rrjetin elektrik në funksion.
Zelenski pranoi se probleme ka edhe në front: “Tani kudo është e vështirë, por vështirësitë më të mëdha janë në front”, tha ai. Rusia po e vazhdon sulmin e saj pavarësisht ngricës.
Po ashtu gjithnjë e më shumë të rinj ukrainas po arratisen prej shërbimit ushtarak, gjë që përbën një problem të madh për ushtrinë. Megjithatë sipas Zelenskit mbrojtja vazhdon të paktën të mbahet e fortë. Ukrainës iu desh kohët e fundit që pas muajsh të tërë mbrojtjeje të braktiste pozicione të tjera në lindje dhe jug të vendit.
(Kosova Sot Online)
