Ish-këshilltari i Vuçiqit shpallet në kërkim
Policia izraelite ka lëshuar urdhër arresti për Srulik Ajnhorn, ish-këshilltar i presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili dyshohet për përfshirje në aferën e njohur si “Katargate”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas autoriteteve izraelite, Ajnhorn akuzohet se ka marrë para për të zhvilluar një fushatë propagandistike me qëllim përmirësimin e imazhit të Katarit në arenën ndërkombëtare.
Lajmi është konfirmuar nga gazetari izraelit i sigurisë Yossi Melman, i cili në një intervistë për N1 Beograd deklaroi se Ajnhorn aktualisht konsiderohet i arratisur nga drejtësia.
“Ai refuzon të kthehet në Izrael dhe të përballet me hetimet, pasi kohët e fundit kanë dalë prova të reja kundër tij”, tha Melman.
Sipas Melman, policia izraelite kishte dërguar disa muaj më parë hetues në Beograd, ku Ajnhorn u mor në pyetje në prani të policisë serbe. Megjithatë, ai mohoi çdo përfshirje dhe pretendoi se veprimet e tij ishin të ligjshme, çka bëri që në atë fazë hetimet të mos prodhonin rezultat konkret.
Situata ndryshoi disa javë më parë, kur autoritetet izraelite vendosën ta shpallin zyrtarisht në kërkim, për shkak të mosbashkëpunimit dhe provave të reja.
Ajnhorn dyshohet se ka punuar për Katarin përpara Kupës së Botës 2022, duke tentuar ta paraqesë vendin si të hapur, mikpritës dhe tolerant, përfshirë edhe ndaj komuniteteve hebraike. Por akuzat shkojnë më tej.
Sipas Melman, Ajnhorn ka qenë i përfshirë në manipulimin e mediave izraelite, duke përhapur qëllimisht narrativa që paraqisnin Egjiptin si armik të Izraelit, ndërkohë që Katari dilte si partner i pranueshëm. Kjo ka shkaktuar shqetësim serioz në establishmentin ushtarak dhe të sigurisë izraelite, pasi Egjipti është aleat strategjik i Izraelit.
“Kjo nuk është thjesht shkelje procedurash. Kjo është spiunazh në favor të një shteti të huaj dhe përpjekje e vetëdijshme për të krijuar kaos”, theksoi Melman.
Ndërkohë, rasti i Ajnhorn shton pikëpyetje serioze mbi rolin e tij si ish-këshilltar i presidentit serb, si dhe mbi ndikimin e aktorëve të huaj në politikat dhe fushatat mediatike në Ballkan.
(Kosova Sot Online)
