Ja si erdhi deri të vendimi i KQZ’së për rinumërim të votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi që u evidentuan mospërputhje të votave të kandidatëve për deputetë, morri vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve që i takojnë të gjitha komunave të Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ky vendim erdhi pasi që sekretariati i KQZ’së, të shtunën, më datë 10 të këtij muaji, ka shikuar video-incizimet e kamerave në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, nga ku edhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë, të cilat, një ditë më pas, me datë 11 janë paraqitur gjetjet nga këto video-incizime gjatë numërimit të fletëvotimeve.
‘’Sekretariati i KQZ-së (SKQZ), të shtunën, më datë 10.01.2026, ka bërë shikimin e video-incizimeve të kamerave në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit. Gjatë këtij procesi është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë. Si rrjedhojë, në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur më datë 11.01.2026, u paraqit njoftimi lidhur me gjetjet nga këto video-incizime gjatë numërimit të fletëvotimeve.
Pas diskutimit, KQZ-ja me votim unanim kërkoi nga SKQZ-ja që të kryejë një verifikim të brendshëm të fletëvotimeve për kandidatët me mostër prej 2% të vendvotimeve, përkatësisht 52 vendvotime në 38 komunat e Republikës së Kosovës.
Procesi i verifikimit ka filluar zyrtarisht më datë 12.01.2026, në orën 08:00. Për realizimin e tij janë angazhuar 11 tavolina numëruese, në dy ndërrime përmes numërimit dhe evidentimit në Fleta Llogaritëse të Kandidatëve (FLIK). Deri në fund të ditës, përkatësisht ndërrimit të dytë janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në QKN nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime’’, thuhet mes tjerash në njoftim.
Lidhur me rinumërimin e 914 vendvotimeve, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se ky proces ‘’mund të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë”.
(Kosova Sot Online)
