William Walker nderon 45 shqiptarët e vrarë në Reçak

  • A.P /
  • 15 January 2026 - 12:05
William Walker nderon 45 shqiptarët e vrarë në Reçak

Sot shënohet 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, ku 45 civilë shqiptarë u vranë nga forcat serbe, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në varrezat e dëshmorëve në Shtime, homazhe ka bërë edhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Kur Walker pa trupat e të vrarëve në prononcimin e tij të parë para mediave tha: “Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme”.

Ngjarja që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

Pamjet e masakrës së Reçakut tronditën botën. Nga ajo kohë filloi rritja e presionit ndërkombëtarë mbi qeverinë serbe dhe Sllobodan Millosheviqin. Për disa javë rresht, forcat serbe mbajtën trupat e të vrarëve në Prishtinë. Në kohën sa trupat e të vrarëve ende nuk u ishin dorëzuar familjarëve, në Prishtinë u krijua delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Bisedimet u organizuan në Rambuje të Francës. Kjo ishte konferenca e parë ndërkombëtare që mbahej ndonjëherë për Kosovën.

Pas dështimit të konferencës së Rambujesë, NATO filloi bombardimin e caqeve ushtarake të ish-Jugosllavisë. Në arsyetimin e NATO-s u tha se operacioni po zhvillohej për të ndaluar abuzimin me të drejtat e njeriut në Kosovë.

(Kosova Sot Online)