Fillon auditimi mbi sigurinë e nxënësve në shkollat publike

  • A.P /
  • 16 January 2026 - 14:15
Fillon auditimi mbi sigurinë e nxënësve në shkollat publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se ka nisur auditimin e performancës me temën “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”. Ky auditim do të fokusohet në klasat VI–XII dhe do të përfshijë periudhën 2022–2025, në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026.

Sipas njoftimit të ZKA-së, auditimi ka për qëllim të vlerësojë nivelin e sigurisë dhe përshtatshmërinë e mjedisit shkollor, si dhe efektivitetin e mekanizmave që institucionet përgjegjëse kanë vendosur për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e rasteve të dhunës në shkolla.

“Synimi ynë është të sigurojmë që nxënësit të zhvillojnë procesin mësimor në një ambient të sigurt dhe të përshtatshëm për zhvillimin e tyre akademik dhe personal”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Fushëveprimi i auditimit përfshin Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Inspektoratin e Arsimit, si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë.

Gjithashtu, pjesë e auditimit mund të jenë edhe Policia e Kosovës me drejtoritë e saj rajonale, si dhe Qendrat për Punë Sociale në këto tri komuna.

ZKA ka theksuar se ky proces do të shërbejë për identifikimin e mangësive dhe sfidave në menaxhimin e sigurisë në shkolla, duke ofruar rekomandime konkrete për forcimin e mekanizmave ekzistues dhe për krijimin e një ambienti arsimor më të sigurt për nxënësit.

(Kosova Sot Online)