Picula – Vuçiqit: BE-ja s’është një bufe
Delegacioni i Parlamentit Europian, i udhëhequr nga Tonino Picula, raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, do të jetë në Beograd nga 22 deri më 24 janar. Edhe pse vizita ishte njoftuar më herët, para se të mbërrinin në Beograd, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç hapi zjarr ndaj parlamentarëve europianë. Siç pritej, shumica e kritikave i drejtohen Tonino Piculës, të cilin Vuçiç dhe makineria e tij mediatike e kanë sulmuar me deklarata të paqarta dhe me etiketime me fyerjet më të këqija që nga dita e parë.
Presidenti i Serbisë, së bashku me Kryetaren e Asamblesë Kombëtare Ana Brnabiç, njoftuan se po refuzon të flasë me Piculën dhe delegacionin e tij. “Ata u ulën, urrejtësit e Serbisë, dhe pranuan të vinin në Beograd. Nuk na pyetën, nuk na informuan”, ka përsëritur Vuçiç prej ditësh. Deklaratat e tij janë në fakt një repertor i pritur për audiencën vendase, të cilës ai vazhdimisht i thekson se Serbia është në rrugën europiane, por se puna e tij është “të parandalojë poshtërimin e vendit”. Si dhe nga kush po poshtërohet shteti mbetet e paqartë.
Që nga emërimi i Tonino Piculës si raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vuçiç ka krijuar një lloj “kordoni sanitar” rreth eurodeputetit kroat. Pa dyshim, ai është qartësisht i shqetësuar nga fakti që raportuesi vjen nga Kroacia, gjë që konfirmon më tej obsesionin e tij me Kroacinë, dhe më pas është më e lehtë ta shpallësh atë një “urrejtës të Serbisë”. Tonino Picula tha në një intervistë me Večernji list se do të ketë më shumë sulme të tilla dhe se Vuçiç nuk po heq dorë prej tyre.
“Më duket se Presidenti i Serbisë e sheh Bashkimin Evropian si një bufe: ai zgjedh vetëm bashkëbiseduesit që i përshtaten, dhe vazhdimisht i konsideron kritikët nga i njëjti Bashkim Evropian si armiq. Sipas mendimit tim, kjo nuk është asgjë e re apo e çuditshme, sepse ai i trajton në të njëjtën mënyrë edhe rivalët politikë vendas, dhe do të thoja edhe qytetarët e Serbisë’, thekson Tonino Picula, i cili shpjegon qartë deklaratat dhe sulmet e vazhdueshme të Vuçiçit.
“Pra, në mënyrën e tij të njohur, Vuçiç flet kryesisht ose me një pasqyrë, ose vetëm me gazetarë të zgjedhur, të cilët më pas përcjellin perceptimin e tij për atë se çfarë është situata në Serbi dhe përreth Serbisë. Prandaj, asgjë e çuditshme”, thotë Picula.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë përsërit se Parlamenti Evropian, ku ai është përfaqësues me kolegë të tjerë parlamentarë, mbështet vazhdimisht politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Serbinë.
“Megjithatë, kjo politikë ka qëllimet dhe metodologjinë e vet. Fatkeqësisht, Serbia ka qenë në stanjacion për katër vjet sepse nuk ka arritur të hapë asnjë kapitull të ri. Ky stanjacion filloi para emërimit tim si raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Serbinë. Të tjerë para meje, të cilët nuk ishin as në grupin tim politik, gjithmonë kanë theksuar të njëjtat probleme në raportet e tyre, të cilat, për fat të keq, nuk po zgjidhen në Serbi. Do të thoja se veçanërisht në vitin e fundit, këto probleme vetëm sa janë grumbulluar. Vuçiç fajëson të gjithë të tjerët për problemet e Serbisë përveç tij dhe sistemit që ai ka udhëhequr prej vitesh”, tha Picula.
Pyetja logjike që lind sipas tij, është: a dëshiron Serbia, me Vuçiçin në krye, të anëtarësohet fare në Bashkimin Evropian? Deklarativisht – po, por në praktikë po bën gjithçka për ta shmangur atë.
“Siç thashë, është një qasje “bufe”. Ata duan fonde, mbështetje financiare, donacione dhe sigurisht shkëmbim ekonomik. Sepse rreth 60 përqind e tregtisë së jashtme të Serbisë është me Bashkimin Evropian. Pa këtë vullnet të mirë dhe gatishmëri të BE-së për të tregtuar me Serbinë, ekonomia serbe do të ngecej. Tani po shohim edhe probleme me Industrinë Serbe të Naftës, sa e ekspozuar dhe e brishtë është kjo ekonomi, si ekonomitë e shteteve të vogla, dhe si mund të gjendet në probleme serioze brenda natës. Serbia pret gjithçka nga Bashkimi Evropian, por nuk dëshiron të përshtatet me kërkesat elementare të BE-së, siç është vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë. Serbia ka kohë që mbështet një politikë të jashtme vektoriale midis Pekinit, Moskës, Uashingtonit dhe Brukselit. Megjithatë, koha për një “ulje në katër karrige” të tillë po kalon ngadalë, pasi aktorët më të rëndësishëm politikë po vijnë në një përballje globale. Aktualisht është e vështirë, madje edhe për shtetet më të afta, të zhvillojnë një politikë të tillë të jashtme pa pasoja për shoqërinë vendase. Sigurisht, as Aleksandar Vuçiç nuk mund ta bëjë këtë, por ai gjithmonë duhet të gjejë dikë për të fajësuar” përfundoi Picula në një intervistë me Vecernji list.
Retorika ofenduese e Vuçiçit ndaj Evropës, në këtë rast ndaj përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, ka qenë pjesë e narrativës së tij që kur erdhi në pushtet, paralajmëron Zharko Korac, ish-zëvendëskryeministër i Serbisë nën Zoran Gjingjiçin dhe një kritik i ashpër i qeverisë aktuale, në një intervistë me Vecernji list.
“Kjo narrativë është në fakt më e vjetër se ai. Është narrativa e Sheshelit: ne dhe Rusia jemi të vetmit popuj të pavarur në Evropë, dhe Evropa dëshiron të na poshtërojë, të na shfrytëzojë, të na heqë pavarësinë dhe sipas narratives se tyre, të na marrë territoret, përfshirë Kosovën. Kjo është retorika e Sheshelit që Vuçiç vazhdon. Shembuj janë deklarata të tilla si: “Unë kam një ushtri të madhe, shpenzoj shumë për armatime, askush nuk mund të na bëjë asgjë. Unë jam i pavarur dhe nuk dua që Serbia të poshtërohet ose të pranojë njerëz që nuk e kuptojnë Serbinë””.
(Kosova Sot Online)
