Qeveria e Sllovenisë merr një vendim
Qeveria e Sllovenisë vendosi sot të dërgojë dy oficerë të Forcave të Armatosura të Sllovenisë në Grenlandë, të cilët do të marrin pjesë në planifikimin dhe realizimin e stërvitjes ushtarake nën udhëheqjen e Danimarkës, me synim mbështetjen e forcimit të sigurisë rajonale, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Në përputhje me paragrafin e tretë të nenit 84 të Ligjit për Mbrojtjen, Qeveria e Republikës së Sllovenisë vendos për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Sllovenisë në përmbushjen e detyrimeve të marra në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe miraton plane vjetore për stërvitjen e ushtrisë jashtë vendit dhe të njësive të huaja ushtarake në Republikën e Sllovenisë, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare”, njoftoi qeveria sllovene.
Oficerët do të marrin pjesë në planifikimin dhe realizimin e stërvitjes ushtarake ndërkombëtare “Qëndrueshmëria Arktike”, e cila udhëhiqet nga Danimarka.
Data e stërvitjes, e cila synon forcimin e sigurisë rajonale, ende nuk është caktuar. Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se do të zbatojë procedurat përkatëse për bashkëpunim në planifikimin dhe realizimin e saj.
Me këtë vendim për dërgimin e oficerëve, Sllovenia u bashkohet disa vendeve evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë, Suedinë, Norvegjinë, Finlandën dhe Holandën, të cilat tashmë kanë dërguar oficerë ose pjesëtarë të tjerë të forcave të armatosura në Grenlandë në kuadër të misionit “Qëndrueshmëria Arktike”.
Për shkak të kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, vendet evropiane ditët e fundit po dërgojnë me shpejtësi oficerët e tyre në Grenlandë, duke forcuar praninë e personelit ushtarak evropian në këtë ishull me rëndësi të madhe gjeostrategjike.
Zyrtarisht, bëhet fjalë për pjesëmarrje në një stërvitje ushtarake, përkatësisht në operacionin “Qëndrueshmëria Arktike”, por po komentohet se kjo lëvizje përfaqëson një masë evropiane parandaluese përballë kërcënimeve të Trumpit.
(Kosova Sot Online)
