Arianit Sllamniku konfirmon se është intervistuar nga policia

  • A.P /
  • 20 January 2026 - 12:00
Arianit Sllamniku konfirmon se është intervistuar nga policia

Organet e sigurisë dhe të drejtësisë janë aktivizuar lidhur me hetimet që kanë të bëjnë me veprimtarinë e të ashtuquajturit konspiracionist, Arianit Sllamniku.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin në fjalë.

Indeksonline ka kontaktuar me Arianit Sllamnikun, i cili ka konfirmuar se është intervistuar nga Policia e Kosovës. Ai ka shpjeguar versionin e tij lidhur me raportimet e bëra ndaj tij.

Sipas Sllamnikut, dyshimet kanë ardhur nga disa prindër që, sipas tij, kanë reaguar pa e provuar më parë te fëmijët e tyre atë që ai ka sugjeruar.

“Një nënë, a dy, kanë dyshuar në protokollin tim, pa e provuar te fëmijët e vet. Me dhënë mendim a duhet me u licencu? Unë kam zyre të konsulencave, bëj aktivitetet e mia, jam në televizione. Aty i bëj analizat e mia politike, gjeopolitike dhe ekonomike,” ka deklaruar ai.

Sllamniku ka shtuar se kohët e fundit qytetarët e kanë kontaktuar edhe për çështje shëndetësore, ku ai, sipas tij, ka dhënë vetëm mendime dhe sugjerime.

“Unë vetëm jap mendim: ‘Bleje këtë, merre këtë, jepja këtë, bëja këtë’. Janë sugjerime. Sa i përket raportimeve se ilaçi ishte për kafshë, unë kam sugjeruar ‘Fenbendazole antiparasitic’. I njëjti bari përdoret edhe kundër kancerit,” ka thënë ai.

Ndërkohë, nga Prokuroria Themelore në Gjilan kanë konfirmuar zyrtarisht se me datë 20 janar 2026 kanë autorizuar Policinë e Kosovës për veprime hetimore.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, sot me datë 20 janar 2026, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin për të cilin jeni interesuar. Prokuroria Themelore në Gjilan do t’ju mbajë të informuar për veprimet e mëtejshme. Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

(Kosova Sot Online)